Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare në Shkenca Sociale dhe Edukim

Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, si dhe Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilluan Konferencën e 7-të Ndërkombëtare në fushën e Shkencave Sociale dhe Edukimit ICESS 2019.

Ky aktivitet edhe këtë vit mblodhi së bashku akademikë dhe studiues nga 4 vende të ndryshme të rajonit dhe Europës, ku u prezantuan 40 punime origjinale me ndikim në fushën e shkencave sociale dhe edukimit.

Punimet e konferencës u përshëndetën nga Dekania e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani ,e cila pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, theksoi rëndësinë e trajtimit të qasjeve të reja në fushën e edukimit dhe atë të shkencave sociale në tërësi.

Më tej, Zv/Dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit dhe njëkohësisht Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Edukimit, Dr. Arti Omeri , në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh optimist ndaj diskutimit të problematikave dhe qasjeve të reja me të cilat po përballet fusha e edukimit vitet e fundit.

Konferenca vazhdoi punimet e saj në sesione të ndryshme. Ndër temat e shumta që u trajtuan nga referuesit pjesëmarrës ishin: “Qasjet teorike mbi zhvillimin e gjuhës tek fëmijët"; "Rëndësia e zhvillimit të inteligjencës emocionale në programet e studimit të përgatitjes së mësuesve"; "Ne i mbajmë mend mësuesit tanë të mirë"; "Perceptimi i shoqërisë shqiptare për fëmijët me Sindromën Down"; "Vetëvlerësimi i performancës në punë"; etj.

Punimet e konferencës u ndoqën nga dhjetëra studentë dhe të diplomuar të Departamentit të Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër.