Departamenti i Edukimit dhe Gjuhës Angleze në Kolegjin Universitar “Bedër” organizoi Konferencën e VIII Ndërkombëtare në Edukim dhe Shkenca Sociale – ICESS 2022, me temë: “Perspektivat e reja në edukim dhe shkenca sociale”.
Konferenca u organizua në bashkëpunim me partnerët: Universiteti “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan), “Educators without Borders International”, si dhe ELTA - English Language Teachers Association.
Në konferencë morën pjesë mbi 60 referues nga 14 vende të ndryshme të botës. ICESS 2022 ofroi një mundësi për akademikët dhe profesionistët e fushave të edukimit dhe të shkencave sociale, të cilët shkëmbyen me njëri-tjetrin perspektiva shumëdimensionale dhe gjetjet e punëve kërkimore, si dhe diskutuan mbi sfidat aktuale dhe zgjidhjet për tu përballur me to.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Përgjegjësja e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze, njëkohësisht dhe Kryetare e Konferencës, Dr. Ana Uka, e cila theksoi rëndësinë e kësaj conference, sidomos në periudhën në të cilën po kalon bota pas pandemisë së Covid19. Rektori i komanduar i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, shprehu rëndësinë që kanë të tilla organizime dhe tha se rekomandimet që dalin nga kjo konferencë do të jenë të vlefshme për studiuesit e këtyre fushave.
Punimet e konferencës i përshëndetën dhe Kryetari i Bordit të Administrimit të KU Bedër, Dr. Skënder Bruçaj; Prof. Dr. Mohammed A. Albaili, Kryetar i “Educators without Borders International”; Prof. Asoc Dr. Elisabeta Osmanaj, dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Shpresa Delija, ish-Presidente e ELTA - English Language Teachers Association dhe profesoreshë në Universitetin e Tiranës.
I ftuar në cilësinë e folësit kryesor, Prof. Dr. Mohammed A. Albaili, mbajti një referatë me temë: Ri-konceptimi i mësimdhënies dhe të nxënit pas Covid19. Gjithashtu në cilësinë e folësit kryesor ishte dhe Prof. Dr. Baharul Islam nga Indian Institute of Management Kashipur, Indi. Ky i fundit referoi temën: “Autonomia” dhe “motivimi” mes kërkuesve shkencorë gjatë pandemisë Covid19: Një studim fenomenologjik”.
Më pas, koferenca vazhdoi edhe me 2 sesione të tjera, me nga 3 seksione secila. Sesionet u zhvilluan në formatin hibrid, me referuesit të pranishëm në Kolegjin Universitar Bedër dhe online.