Organizohet aktiviteti “Mbrëmje folklorike” në kuadër të fushatës

Studentët e vitit të dytë të programit Master i Shkencave, dega Marrëdhënie me Publikun dhe Gazetari organizuan mbrëmjen folklorike në ambientet e biblotekës së Kolegjit Universitar Bedër. Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese "Ruaj traditën, festo shqip”, aktiviteti konsistoi në një mbrëmje kushtuar këngëve dhe valleve popullore shqiptare.
Të ftuar në takim ishin Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Rahim Ombashi si dhe shkrimtari i mirënjohur dhe pedagogu Prof. Dr. Agron Tufa, të cilët referuan për të pranishmit një sërë informacionesh dhe kuriozitetesh në lidhje me rrënjët e folklorit shqiptar.
"Folklori është një e shkuar shpirtërore që nuk e blejmë dhe nuk e kthejmë dot, por e marrim me vete dhe e përkthejmë në vlera që na karakterizojnë dhe na dallojne nga të tjerët. Arti ka vetëm një çmim - vlerat shpirtërore, për të cilat kemi shumë nevojë", tha Prof. Dr. Ombashi.
Ndërsa Prof. Dr. Tufa u shpreh se: “Rëndësia këngës popullore e folklorit dhe të formave të krijimtarisë popullore padyshim që përbjnë një vulë të identitetit për çdokënd.”
Në fund të takimit studentët kishin mundësinë që të risillnin në kujtesë disa nga këngët e vjetra shqipe nëpërmjet leximit dhe këngës.