Përgjegjësi i Departamentit

Dr. Ana Uka

Dr. Ana Uka është diplomuar nga Universiteti i Stambollit në degën e Shkencave të Edukimit. Ajo ka mbaruar ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave në Studime mbi Edukimin, Familjen dhe Fëmijët në Universitetin Leiden në Holandë. Më pas kreu studimet doktorale mbi Familjen dhe Komunitetin në Institutin e Familjes dhe Jetës në Komunitet në Universitetin Clemson në Karolinën e Jugut, SHBA.

Ajo ka punuar si eksperte nëpërmjet Këshillit të Programeve Ndërkombëtare dhe Programeve Ndërkombëtare të Columbus-it (CIPUSA & CIP) të Departamentit të Shtetit në disa qendra dhe shkolla, si Qendra e Shërbimeve ndaj Familjes dhe Fëmijëve dhe Qendra e Shërbimeve ndaj Familjeve Katolike në Kalamazoo/Michigan, West Central School of MRDD në Columbus/Ohio, dhe Akademia e Shkencave “Harmony”– Austin i Veriut në SHBA gjatë viteve 2007–2009. Ajo është konsulente e jashtme dhe anëtare e grupit të kërkimit shkencor për Shqipërinë në disa projekte brenda dhe jashtë vendit në bashkëpunim me organizata apo qendra koordinimi kombëtare dhe ndërkombëtare si UN-IOM, AWEN, GADC, CVE, COST etj.

Duke filluar nga viti akademik 2011-2012, Dr. Uka është anëtare e stafit akademik me kohë të plotë në Fakultetin e Filologjisë dhe Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, ku ajo ka mbajtur pozicione si lektore dhe zv/përgjegjëse e Departamentit të Shkencave të Edukimit. Ajo gjithashtu mban edhe pozicionin e koordinatores së Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë në Bedër që nga tetori 2018 dhe pozicionin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave të Edukimit gjatë vitit akademik 2019-2020. Që nga fillimi i vitit akademik 2020-2021, Dr. Uka është përgjegjëse e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë. Gjithashtu, Dr. Uka që prej vitit akademik 2015-2016, është e atashuar si pedagoge me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Mjekësisë.

Fusha kërkimore e saj fokusohet në problemet dhe sfidat e edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve dhe adoleshentëve, marrëdhëniet në familje, fuqizimi i partneriteteve familje-shkollë, neglizhimi dhe abuzimi me fëmijët, dhuna në familje, procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të margjinalizuar, të drejtat e fëmijëve dhe grave, pjesëmarrja qytetare e të rinjve dhe zhvillimi i komunitetit. Ajo ka shkruar një sërë artikujsh në këto fusha të botuara në revista shkencore me faktor impakti ku në disa prej tyre është edhe anëtare e bordit shkencor apo editorial.

Ajo është anëtare në disa shoqata profesionale si brenda ashtu edhe jashtë vendit si: Shoqata Amerikane Psikologjike (APA), Aleanca Globale për Shëndetin Bihejvioral dhe Drejtësi Sociale e njohur më parë si Shoqata Amerikane Ortopsikiatrike, Instituti Shqiptar i Sociologjisë dhe Rrjeti i Abuzimit, Dhunës dhe Shëndetit Mendor në UK. Ajo gjithashtu është anëtare dhe bashkë drejtuese e disa prej komisioneve të projekteve Cost Actions.