Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Zhejiang të Shkencës dhe Teknologjisë

Gjatë këtyre ditëve, rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Gjana u takua me presidentin e Universitetit Zhejiang të Shkencës dhe Teknologjisë, ku u diskutua rreth një partneriteti të mundshëm midis dy universiteteve.

Universiteti Zhejiang i Shkencës dhe Teknologjisë (ZUST) është një institucion i arsimit të lartë ithemeluar në vitin 1980, i cili ndodhet në qytetin historik dhe piktoresk të Hangzhou, kryeqyteti i Provincës Zhejiang, një nga provincat më të begata në Kinë. ZUST është një universitet shumëdisiplinor, me fokus në inxhinieri përfshirë displina në shkencë, art, ekonomi, menaxhim dhe arsim. Zhvillimi i ZUST është i lidhur ngushtë me bashkëpunimin e saj ndërkombëtar. ZUST, që nga themelimi i saj, ka hyrë në bashkëpunim me Gjermaninë dhe tani është një platformë e rëndësishme për arsimin dhe bashkëpunimin teknologjik midis Provincës Zhejiang dhe Gjermanisë. Deri sot, ZUST ka krijuar me sukses bashkëpunimin formal me mbi 50 universitete në Gjermani, SHBA, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Francë, Japoni, Kore, Hollandë, Belgjikë, Rumani etj. ZUST ende po bën hapa të mëtejshëm në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e shkëmbimit të stafit akademik dhe të studentëve, kërkimit shkencor dhe programeve të studimit.

Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe Presidenti i Universitetit Zhejiang të Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Ye Gaoxiang nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit më 28 nëntor, 2018.

Marrëveshja ndërmjet dy institucioneve përfshin:

  • Shkëmbimin e stafit akademik dhe administrativ
  • Shkëmbimin e studentëve në programet Bachelor dhe Master
  • Organizimin e projekteve dhe botimeve të përbashkëta kërkimore
  • Bashkëpunimin dhe shkëmbimin e burimeve dhe stafit në lidhje me shërbimet e bibliotekës dhe shërbime të tjera të ngjashme.
  • Shkëmbime dhe bashkëpunime të tjera akademike në fushën e arsimit.