Bedër Alumni Awards 2019

Kolegji Universitar Bedër organizoi për të tretin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Në këtë event morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e letërsisë, kulturës, artit dhe edukimit.

Ceremoninë e hapi përfaqësuesja e Zyrës së të Diplomuarve, Jola Marku, e cila theksoi se kjo zyrë nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të ndikojë në formësimin e një kulture, për sa i përket aktiviteteve dhe marrëdhënieve universitet- të diplomuar. Ajo u shpreh se eksperiencat e të diplomuarve në fushën profesionale janë një mbështetje për institucionin dhe jo vetëm, ato gjithashtu janë një ndihmë dhe referencë e vlefshme edhe për të diplomuarit e tjerë ose studentët në prag diplomimi.

Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se ky aktivitet është një forme motivimi që mbështet sukseset e të diplomuarve, duke patur besimin që do të jenë në rritje. Gjithashtu ai cilësoi mbështetjen që të diplomuarit i japin njëri- tjetrit, në emër të arritjeve të përbashkëta.

Gjatë ceremonisë u ndanë në total 9 cmime, nga ku 6 çmime u akorduan në shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për ish-studentë që janë kthyer në modele frymëzuese, falë punës dhe arritjeve të tyre në karrierat profesionale. Ndërkohë, 3 çmime të tjera të veçanta u përzgjodhën nga stafi akademik i universitetit për t’iu akorduar personaliteteve nga fusha e artit, shkencës, kulturës, letersisë e edukimit për kontributin e tyre.

Çmimi i Karrierës iu akordua të diplomuarës Desara Dushi, me motivacion “Për arritjet e spikatura profesionale duke reflektuar shembullin e një profesionisti të shquar në fushën e tij dhe duke u bërë burim frymëzimi për studentët, të diplomuarit e tjerë si dhe për komunitetin në tërësi”.

Çmimin “Beder Award” iu dha të diplomuarit  Erzen Carja, me motivacion “Për kontributin e çmuar intelektual dhe material ofruar për Kolegjin Universitar Beder me ndikim në rritjen e reputacionit si dhe duke mbështetur brezat e të diplomuarve dhe studentëve në integrimin më lehtë me tregun e punës apo me rritjet profesionale”.

Fituesja e çmimit ‘Eagle’ ishte Trendelina Omuri, me motivacionin ‘Për veprimtarinë e dalluar në ndërgjegjësimin dhe marrjen e përgjegjësive sociale në dobi të shoqërisë duke mbajtur gjallë vlerat kulturore kombëtare”

Çmimi ‘Haxhi. Vehbi Dibra’ iu akordua të diplomuarës Migena Jani, me motivacionin “Për kontributin e vyer në arsim, shkencë, art dhe paqe sociale duke përçuar vlera morale, etike dhe universale në shoqërinë shqiptare dhe përtej saj në gjurmët e figurës së ndritur të H. Vehbi Dibrës.”

Çmimin ‘Women Empowerment’ e fitoi Zamira Aga, me motivacionin “Për mbështetjen, inkurajimin, bashkëpunimin dhe përpjekje të pakursyera në fuqizimin e rolit të gruas, si forcë e madhe e shoqërisë sonë, duke krijuar më shumë siguri sociale, politike dhe ekonomike për to”.

Çmimi “Young Entrepreneurs” iu dha të diplomuarës Olta Peca me motivacionin “Për iniciativat e sipërmarrjes, duke ofruar ide dhe projekte inovative në fusha të caktuara shërbimi si një model frymëzues për të diplomuarit e tjerë, për studentët si dhe për komunitetin në tërësi”.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe cmime të vecanta ku fituesit ishin z. Hiqmet Patozi me motivacionin “Për kontribut dhe përkushtim të veçantë në fushën e arsimit për vite me radhë, duke përcjellë tek të rinjtë dashurinë për dijen, për vlerat shoqërore, fetare dhe atdhetare".

Profesor Hamit Boriçi u vlerësua me motivacionin “Për kontributin e vyer në çeljen dhe përplotësimin e katedrës së gazetarisë, hartimin e programeve të studimit, teksteve universitare si dhe për kërkimin shkencor e inovacionin; gjithçka e vënë në shërbim të përgatitjes cilësore të profesionistëve dhe studiuesve të medias”. Ky çmim iu akordua nga kryetari i KMSH z. Bujar Spahiu i cili vlerësoi ceremoninë dhe përpjekjet e arsimtarëve për të mësuar brezat e rinj.

Studentët e vitit të dytë master shkencor në Marrëdhënie Publike dhe Gazetari, nën udhëheqjen e lektores Edlira Mali fituan çmimin me motivacionin “Për veprimtarinë e dalluar në ndërgjegjësimin dhe marrjen e përgjegjësive sociale në dobi të shoqërisë duke mbajtur gjallë vlerat kulturore kombëtare.” Çmimi iu akordua nga ish kryetari i KMSH Z. Skënder Brucaj i cili vlerësoi mbështetjen që stafi akademik dhe studentët i japin njëri tjetrit për të patur sukses në fushën profesionale.

Ceremoni si këto, janë pjesë e modeleve dhe praktikave të ndjekura edhe nga universitete të tjera të mirënjohura si një formë rikthimi të ish-studentëve në gjiret e insitucioneve arsimuese, tanimë si kolegë mes tyre.